Identiteti ynë institucional ndërtohet mbi traditë, transparencë dhe besimin e komunitetit.
Shkolla 9-vjeçare “Jeronim de Rada”, Rr. Fortuzi, Tiranë
Shkolla 9-vjeçare “Jeronim de Rada”, e themeluar më 15 shtator 1965, është një nga institucionet arsimore me traditë dhe reputacion në qytetin e Tiranës. Që prej hapjes së saj, ajo ka qenë një vatër e rëndësishme formimi, edukimi dhe zhvillimi për breza të tërë nxënësish.
Drejtori i parë i shkollës ishte z. Gani Bega (1965–1972), i cili, së bashku me mësueset e para të klasave fillore — znj. Behrije Abdihoxha, znj. Elsa Kuke, znj. Besa Qatipi dhe znj. Serije Bekteshi — hodhën themelet e një tradite serioze dhe cilësore në mësimdhënie. Për hapjen e saj, përveç nxënësve të zonës, u përfshinë edhe nxënës nga shkolla 8-vjeçare “Hasan Vogli” dhe nga shkolla e mesme e bashkuar “Qemal Stafa”.
Në vitin 1969, në godinën e shkollës u vendos edhe shkolla e mesme ekonomike pa shkëputje nga puna “Nako Spiro”, e cila funksionoi deri në vitin 1988. Gjithashtu, për një periudhë kohe, si shkollë vartëse u lidh edhe shkolla fillore “Migjeni”, deri në vitin 1977.
Që nga themelimi e deri më sot, shkolla ka pasur një numër të konsiderueshëm nxënësish, duke luhatur ndër vite nga 800 deri në 1 000 nxënës, si dhe një staf pedagogjik prej rreth 40 mësuesish çdo vit shkollor. Nxënësit dhe mësuesit e saj janë dalluar për kërkesë të lartë akademike dhe përkushtim ndaj dijes.
Që në vitet e para, mësuesit e shkollës janë përfshirë në punë serioze shkencore dhe projekte kombëtare, si eksperimentimi i drejtshkrimit dhe i bashkësive matematikore nga mësuesja Behrije Abdihoxha, si dhe studimi mbi mbarëvajtjen e 6-vjeçarëve në klasat e para nga mësuesja Donika Sollaku. Me respekt të veçantë kujtohen kontributet e mësuesve të përkushtuar si Serije Bekteshi, Elsa Kuke, Besa Qatipi, Rakibe Lleshi, Fatime Pipero, Behrije Abdihoxha, Donika Sollaku, Filize Shkaba, Athina Verdi, e shumë të tjerë.
Ndër vite, drejtimin e shkollës e kanë ushtruar:
Gani Bega (1965–1972); Fatime Pipero (1972–1989); Katrina Bitri (1989–1992); Lumturi Ymeraj (1992–1998); Prele Vata (1998–1999); Shkëlqim Gjonçaj (1999–2002); Jerina Kokonozi (2002–2004); Reita Tato (2005–2007); Oriana Osmani (2007–2008); Majlinda Prendi (2008–2009); Dhurata Bakalli (2009–2013); Rozina Kollçaku (2013–2020); Entela Alushi (2021–vazhdim)
Në vitin 2020, shkolla iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet infrastrukturore dhe mjediset mësimore. Sot ajo disponon një bibliotekë të pasur, kabinet biologjie dhe fizike, një Smart Lab, si dhe disa klasa të pajisura me tabela inteligjente, të mundësuara përmes bashkëpunimeve me partnerë të jashtëm.
Nxënësit e shkollës “Jeronim de Rada” kanë spikatur ndër vite në olimpiada dhe konkurse të ndryshme. Në vitin shkollor 2023–2024, shkolla u vlerësua me Çmimin e Dytë në Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe, si dhe me rezultate të tjera të suksesshme në gara akademike dhe aktivitete edukative.
Nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë figura të njohura në fusha të ndryshme të jetës publike, si: Irma Libohova, Mirel Josa, Mimi Kodheli, Eranda Libohova, Redi Jupi, Nasho Paskali, Ylli Tomori, Viron Bezhani, Olta Popa, Floriana Paskali, Sokol Balla, etj., duke dëshmuar ndikimin e saj në formimin e brezave që kontribuojnë në shoqëri.
Si shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e mësuesve, skulptori i mirënjohur Odhise Paskali i dhuroi shkollës bustin e Jeronim de Radës, i cili simbolizon lidhjen e institucionit me kulturën, dijen dhe identitetin kombëtar.
E mbështetur mbi këtë histori dhe traditë, misioni i shkollës është të ofrojë arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, në një mjedis të sigurt dhe motivues, duke zhvilluar tek nxënësit kompetencat akademike, vlerat qytetare dhe përgjegjësinë shoqërore.
Vizioni i shkollës “Jeronim de Rada” është të ndërthurë vlerat më të mira të traditës arsimore me inovacionin dhe teknologjinë moderne, duke krijuar një komunitet mësimor ku çdo nxënës zbulon potencialin e tij dhe përgatitet me dinjitet për sfidat e së ardhmes.
Me mbi gjysmë shekulli histori, shkolla vijon të mbetet një institucion me identitet të fortë, i lidhur ngushtë me komunitetin e saj dhe i përkushtuar ndaj cilësisë në arsim.
Ndër vite, drejtimin e shkollës e kanë ushtruar:
Fatime Pipero (1972–1989)
Katrina Bitri (1989–1992)
Lumturi Ymeraj (1992–1998)
Prele Vata (1998–1999)
Shkëlqim Gjonçaj (1999–2002)
Jerina Kokonozi (2002–2004)
Reita Tato (2005–2007)
Majlinda Prendi (2008–2009)
Rozina Kollçaku (2013–2020)
Entela Alushi (2021–vazhdim)
Shkolla "Jeronim de Rada" është e angazhuar seriozisht në rritjen dhe përmirësimin e arritjeve të nxënësve nëpërmjet stafit të kualifikuar dhe të përditësuar në mënyrë të vazhdueshme me risitë pedagogjike, didaktike, metodologjike dhe juridike në fushën e arsimit. Gjithashtu shkolla jonë ka në fokus investimin në formimin e personalitetit të nxënësve dhe krijimit të kushteve që cdo nxënës të arrijë potencialin e tij si në fushën pedagogjike ashtu dhe në ndërveprimin njerëzor.
Në katër vitet e ardhshme ne e përfytyrojmë institucionin tonë si një mjedis miqësor, të shëndetshëm, ku nxënësit ndihen të lirë të shprehin mendimet e tyre Atë pavarura, ku ata kanë konsoliduar të menduarit e thelluar dhe argumentues, problem zgjidhjen dhe kreativitetin, ku prindërit janë të informuar dhe bashkëpunues mbi arritjet dhe vështirësitë që hasin fëmijët e tyre, ku ndihet një ndjesi e mirë komunikimi dhe bashkëveprimi ndërmjet aktorëve të përfshirë në shkollë. Në këto vite ne do të punojmë për një staf të përkushtuar që është pranë nxënësve për të identifikuar individualisht vështirësitë e gjithsecilit dhe që vazhdimisht ndihmon dhe monitoron progresin e çdo nxënësi, një staf që është i përkushtuar jo vetëm për të parë progresin akademik të nxënësve, por që i mbështet ata emocionalisht dhe psikologjikisht gjatë rritjes dhe formimit të personalitetit të tyre.
Respekti, Përgjegjësia, Kreativiteti, Bashkëpunimi, Integriteti
Shkolla mbulon ciklin 9-vjeçar (klasat 1–9), me theks në shkencat dhe edukimin qytetar.
Struktura përfshin Drejtorinë, Këshillin e Mësuesve dhe komisione të specializuara.
Stafi përfshin 1 drejtor, 2 nëndrejtor, 44 mësues, 1 psikolog, 1 punonjës social dhe personel mbështetës. Infrastruktura: 18 ambiente, 3 laboratorë (shkencë & Smartlab), sallë sportive, bibliotekë, oborr i sigurt dhe akses i plotë për nxënës me nevoja të veçanta.
PSIKOLOGIA
PUNONJËSJA SOCIALE